TIRANE-Kryetari i PD, Lulzim Basha nga selia blu vijoi akuzat në drejtim të shumicës dhe kryeministrit Rama si i lidhur me bandat. Lideri i PD u shpreh se Rama erdhi në pushtet me ndihmën e votave të krimit. Ai deklaroi se kriminelët i siguruan Ramës 10-15 mandate në zgjedhje dhe kjo sipas tij shpjegon “kapjen e drejtësisë dhe emërimin e Arta Markut për të shkatërruar hetimin dhe transferimin e prokurorëve”.
Deklarata e Lulzim Bashës
Cdo dite qe kalon po provon se ceshtjet dhe kauzat për të cilat Partia Demokratike ka luftuar me një kosto të lartë politike, më në fund janë të qarta para syve të gjithë shqiptarëve: Gjendja e drogës që ne denoncuam u bë e qartë për të gjithë shqiptarët. Kriminelët në Kuvend u bënë të
qartë për të gjithë shqiptarët. Lidhjet e ministrave dhe politikanëve me trafikun e drogës u bënë të ditura. Tashmë kanë dalë në dritë edhe provat zyrtare, të krimit të të gjitha krimeve: marrja e pushtetit nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin. Kriminelët janë bërë faktori kryesor elektoral në Shqipëri. Vota e njerëzve, vullneti i njerëzve nuk kanë asnjë rëndësi në zgjedhjen e qeverisë në Shqipëri.
Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramë në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve por hetimet ndaj tij u mbyllën. Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkuruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama. Përgjimet kane nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi Ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup të rrezikshëm ndërkombëtar të drogës.