Rreth 40 minuta nga Shkodra ndodhet Boga, që të mrekullon me pamjen e saj. Kjo krishtlindje e gjen Bogën të veshur me petkun e bardhë. Për shkak të pandemisë situata nuk është favorizuese, pasi mungojnë turistët. Report Tv ju sjell magjinë e këtij fshati.
Boga ndodhet në Rrethin Malësi e Madhe, Qarku Shkodër, në pjesën e sipërme të Përroit të Thatë, rreth 48 km në veri të qytetit të Shkodrës dhe 37 km larg qytetit të Koplikut. Rruga për në Bogë bëhet kryesisht nga segmenti Shkodër - Koplik - Bogë.
Boga ka një histori jete prej qindra apo mijëra vitesh. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme Ilire, (të kohës romake fundi i shekullit II, shekulli III mbas lindjes së Krishtit)
Lugina e Bogës, që për nga origjina është akullnajore, ka formën e një rrethi ku malet që e rrethojnë formojnë kolona me lartësi mbi 2000m. Nga malet që e rrethojnë, kur shkon për në Bogë, nga e djathta shtrihet maja e Rabës (2222m), vazhdon më tej me malin e Çardakut (2250m) dhe me majën e Shtegut (2083m) ku lidhet me malin e Radohinës dhe me malin e Arapit që e ndajnë nga lugina e Thethit, ndërsa në krahun e majtë, shtrihen Mali i Pultinzes, më pas mali i Dragomirit, mali i Bridashës (2187m) e pastaj maja e Vuklin ku lidhet me Radohinën.
Boga e njohur si vendi ku kanë pushuar të pasurit e Shkodrës, është një destinacion turistik dhe me investimet që janë bërë vitet e fundit, nga vete banorët e zonës ka bërë që kjo zonë të kthehet në një destinacion turistik.
"Është një zonë e veçantë eko-turistike që dallohet për bio-diversitetin me 150 bimë mjekësore endemike, gjallesa e shpendë të cilët kanë interes për turizmin shkencor. Pozita gjeografike, pasi është zona e shfrytëzueshme në vere e dimër, e veçantë edhe për gastronominë pasi ushqimet këtu janë të freskëta e të shijshme", shprehet Ardian Ulaj, mësues në këtë fshat.
"Në përgjithësi turistët që na kanë ardhur jemi munduar për tu shërbyer. Ata kanë gjetur mikpritjen këtu, por me këto kushtet tona që ndoshta s'kemi mund t'i plotësojmë të gjitha", shprehet Gjergj Ulaj, i cili ka një bujtinë në Bogë.
"Në këtë fshat gjen shumë gjëra, mikpritjen e kemi gjithë si fshat, ushqimet tradicionale, mish keci, djathë, raki thane", shprehet.