Kriza e koronavirus: Ku është Evropa?

12 Prill 2020, 14:10

Koronavirus është një problem global, këtë e dinë tani të gjithë. Dikush do të mendojë se një problem global duhet të prodhojë zgjidhje globale. Por të tilla vështirë se sheh në Evropë dhe gjetkë. Përkundrazi ne jo vetëm që po përjetojmë një "distancim shoqëror”, por edhe "distancimin kombëtar". Izolimi kombëtar në nivelin politik dhe ekonomik, i cili ndihet prej disa vitesh, po bëhet tani edhe më i dukshëm. Mosmarrëveshja e fundit mes Berlinit dhe Uashingtonit për 200,000 maska që janë zhdukur është një shembull i këtij zhvillimi.

Brenda Bashkimit Evropian ndihmat e ndërsjellta ose masat e koordinuara për të luftuar pandeminë e koronës nisë me ngadalë dhe tashmë janë përfshirë nga mosmarrëveshjet për obligacionet për Coronën. Dhe jo vetëm kaq: mbyllja e njëanshme e kufijve, ndalimi për të hyrë në vendet anëtare të BE-së ose ndalimi për eksportin e pajisjet mjekësore që mori Gjermania janë një shprehje e faktit që interesat kombëtare shihen si më prioritare se ato evropiane. Lëvizja e lirë e qytetarëve, liria e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, shpresa e një politike të përbashkët shëndetësore - duket se në krizën e Coronës i takojnë së kaluarës. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn ankohet me të drejtë, se Evropa aktualisht po rrezikon ta sakrifikojë acquis në luftën kundër virusit Corona.