TIRANË- Krahas konfliktit institucional Presidencë-qeveri si dhe raporteve të polarizuara mes opozitës dhe mazhorancës, një konflikt i ri po përvijohej javët e fundit brenda kampit të opozitës. Dekreti i Presidentit Ilir Meta për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, dekret i cili gjithsesi nuk njihet nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtarët, ka tensionuar raportet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. PD dhe LSI, të bashkuara në një aleancë në fund të vitit 2017, me qëllim bashkimin e forcave për të ardhur në pushtet, ndajnë qëndrimet të kundërta për 13 tetorin. LSI kërkon zgjedhje lokale pa kushte në 13 tetor, ndërsa kryetari i PD Lulzim Basha nuk e njeh këtë datë, duke kërkuar zgjedhje lokale dhe parlamentare të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër. Ndryshe nga PD-ja, LSI-ja ka hequr dorë nga kushtet për zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Ramës, kushte të cilat gjithsesi janë konsideruar ta papranueshme jo vetëm nga vetë shumica, por edhe nga SHBA-BE. Injorimi i 13 tetorit nga Basha duket se është konsideruar si akt pabesie nga LSI, ndonëse ditën e hënë PD bëri një deklaratë formale, duke i bërë thirrje të përgatiste zgjedhjet e 13 tetorit, por duke refuzuar në të njëjtën kohë për t’u regjistruar në zgjedhje. Në këtë klimë mosmarrëveshjesh Presidenti Ilir Meta ka nisur sulmet në adresë të Lulzim Bashës. Disa ditë më parë Meta ironizoi pretendimin e Bashës se me 30 qershor fituan 85% të zgjedhësve që nuk morën pjesë në zgjedhje. Meta tha se sikur të kishte vetëm 1/4 të 85% do kishte arritur një fitore reale. Ndërsa ditën e djeshme, Meta akuzoi Bashën si bashkëfajtor për bojkotimin e zgjedhjeve të 13 tetorit.
