Kriza ekonomike nga COVID-19 ekspertët: Më fortë se e 2008, skenari 'B' rezerva valutore e BSH

31 Mars 2020, 16:20

Gripi i ri çoi në rishikimin e buxhetit të këtij viti duke ulur pritshmëritë për nivelin e të ardhurave që pritet të mblidhen, nga 509.6 miliardë, në 489.6 miliardë lekë dhe duke rritur shpenzimet dhe deficitin buxhetor. Po çfarë ndodh nëse situata rëndohet më tej? Dy janë skenarët që propozojnë ekspertët për të përballuar situatën: ose rritja e mëtejshme e borxhit publik, ose të preket rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Sokol Kraja shprehet për Report TV se mund të përdoren vetëm 1 miliard euro nga rezerva valutore.

Unë do të thosha që rezerva valutore do jetë skenari numër dy, e para është rritja e borxhit të brendshëm. Të shkojmë deri në limitin e borxhit dhe pastaj në rast se situata nuk përmirësohet, jemi të detyruar të prekim rezervën valutore e cila për të tilla raste emergjencash është. Rezerva valutore është e deklaruar, sot janë tre katër muaj import e vendit, jemi në shifrën e 4 miliardë eurove  dhe mund të prekësh 1 miliard për t’ja hedhur ekonomisë e nuk është fundi, sepse ekonomia e kthen në formë konsumi atë”, thotë eksperti Kraja.