Kriza/ Kreu i KQZ-së: Politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizshmëria

24 Maj 2019, 15:39

TIRANE-Kur duhen pak ditë nga çelja zyrtare e fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, paraditen e sotme është zhvilluar një aktivitet nga KQZ me Institutin Demokratik Amerikan për transparencën e financimit të partive.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri u shpreh se janë hedhur hapa përpara dhe se këto zgjedhje do të shënojnë përmirësimin e transparencës financiare, ndërsa referuar situatës aktuale tha se politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizshmëria.

"Media mos rrijë indiferente në financimin e partive. KQZ ka punuar me ekspertët më të mirë për studimin e praktikave për t'u aplikuar në vendin tonë. KQZ miratoi tre akte të rëndësishme për kontrollin dhe verifikimin e shpenzimeve të partive politike dhe fushatës. Politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizshmëria. Jam i bindur se këto zgjedhje do të shënojnë zhvillim në përmirësimin e transparencës financiare" tha ai.

Ndërsa përfaqësuesja e Institutit Demokratik Amerikan theksoi se "Kemi vënë re që partitë nuk kanë raportuar si duhet në KQZ për ata që kanë shpenzuar në fushatat e kaluara dhe kjo ka qenë edhe temë diskutimi në KiE. Partitë duhet të raportojnë për publikun, ku kanë ardhur këto para dhe si janë shpenzuar".