TIRANE-REPORT TV mëson se me kërkesë të qeverisë italiane, Shqipëria ka pranuar që të marrë 20 refugjatë nga 150 që ndodhen në anijen e bllokuar në Catania.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati me anë të një postimi në Twitter shprehet se dje Italia na shpëtoi, ndërsa sot jemi gati të japim një dorë, por shton ai ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën.
Ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën, por jemi gjithnjë këtu, nga ana tjetër e një deti, ku dikur ishim ne ata eritreanët, që vuajnë prej ditësh e netësh në mes të detit, në pritje që të zgjohet Evropa! Dje Italia na shpëtoi. Sot jemi gati të japim një dorë.
Ditmir Bushati
Ndërkohë që pas vendimit të Shqipërisë ka reaguar ministri i Jashtëm i Italisë, Enzo Moavero Milanesi. Ai vlerëson aktin për të marrë 20 refugjatë, ndërsa shtoi se Shqipëria është vendi i parë jashtë unionit që ofron ndihmë.
Falënderoj Shqipërinë për vendimin për të mirëpritur 20 refugjatë nga anija “Diciotti”. Një shenjë e solidaritetit të madh dhe miqësie shumë të vlerësuar nga Italia
Enzo Moavero Milanesi
Anija me 150 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut prej disa ditësh është e bllokuar në portin e Catania-s. Të premten, 150 emigrantët në bordin e anijes “Diciotti” nisën grevën e urisë në shenjë proteste ndaj vendimit të Salvinit për të mos lejuar zbarkimin e tyre. Nga mediat italiane bëhet me dije se nga bordi kanë zbritur 17 persona që kishin nevojë për kujdes mjekësor, dy prej të cilëve dyshohet se vuajnë nga sëmundja e tuberkulozit.
