Kriza në Bjellorusi/ Rama letër Lukashenkos: Po ndjekim me shqetësim zhvillimet, gati oferta jonë

23 Gusht 2020, 17:25

Bjellorusia ka pretenduar se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga OSBE-ja për një vizitë të kryetarit të organizatës për dialog mes opozitës dhe partisë në pushtet.

Por, kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde vendi i së cilës do të mbajë presidencën e ardhshme të OSBE-së, kanë ritheksuar kërkesën në një letër të datës 22 gusht.

Në letrën e firmosur nga Rama dhe Linde, shkruajnë se janë duke ndjekur nga afër dhe me mjaft shqetësim zhvillimet në vend. Ata gjithashtu kanë shprehur dëshirën për të vizituar Bjellorusinë, me qëllim  që të diskutojnë nga afër sfidat me të cilat po përballet ky vend.

"Si kryetarët e tanishëm dhe të ardhshëm në detyrë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, ne jemi duke ndjekur nga afër dhe me shqetësim zhvillimet në Bjellorusi. Në këtë drejtim, ne do të dëshironim të përsërisim ofertën tonë për të vizituar Bjellorusinë, për të dëgjuar pikëpamjet në lidhje me situatën dhe për të pasur një diskutim mbi sfidat aktuale në vend. Bjellorusia është një shtet i rëndësishëm pjesëmarrës i organizatës sonë dhe jemi të gatshëm ta zgjerojmë mbështetjen për të”, thuhet në letër.