Kriza në Bjellorusi/ Rama vizitë në Minsk si kryetar i OSBE! 'Merr bekimin' e presidentit të Këshillit Europian

19 Gusht 2020, 18:18 | Përditesimi i fundit: 2020-08-19 18:23:00

TIRANË- Këshilli i Evropës dhe Presidenti i saj Charles Michel ka pranuar propozimin e kryeministrit Rama në cilësinë e kreut të OSBE  për të zhvilluar një takim me presidentin bjellorus Lukashenko dhe lideren e opozitës SvetlanaTikhanovkaya. Lajmi konfirmohet nga burime për Report Tv, teksa mësohet se për realizimin e këtij pritet konfirmimi i presidentit vendas Lukashenko. 

"Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe do të jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore. BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i përmirësuar ato", thuhet në pikën 8 të deklaratës së Këshillit Europian. 

Një vendim i tillë ka ardhur si rezultat i gjendjes së krijuar në Bjellorusi, pas protestave të ditëve të fundit në vend të cilët kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve për president. Liderët e BE i kanë tërhequr edhe njëherë vëmendjen shtetit bjellorus.

Në përfundim të samitit virtual të thirrur nga presidenti i KE Charles Michel, ata kanë theksuar se gjenden pranë popullit bjellorus dhe i bëjnë thirrje presidentit Lukashenko për të liruar të burgosurit dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve.  Ata kanë paralajmëruar edhe njëherë qeverinë se nëse nuk përmirësohet gjendja në vend, do të ketë masa më drastike dhe sanksione të reja.