Kriza politike në Venezuelë, përplasen SHBA-Rusi

2 Maj 2019, 11:45

VENEZUELË- Përplasen superfuqitë ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten në rrugët e Venezuelës.

Kriza në vendin e Amerikës Latine ka shkaktuar një luftë të vërtetë midis Uashingtonit dhe Moskës, me akuza të ndërsjella, kërcënime dhe tone të Luftës së Ftohtë. Në një telefonatë, pas "grushtit të dështuar të shtetit", Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov kritikoi kolegun amerikan Mike Pompeo për deklaratën e tij për mos përjashtimin e veprimeve ushtarake amerikane në Venezuelë. "Ne po shohim mundësinë e një ndërhyrje ushtarake për të rivendosur demokracinë, edhe pse do të preferonim një tranzicion paqësor të pushtetit" - deklaroi shefi i diplomacisë amerikane në një intervistë televizive. Por duket se deklarata e tij nuk është “përtypur” lehtë në Moskë, e cila ka paralajmëruar Uashingtonin të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Venezuelës, duke kërcënuar se pasojat do të ishin të rënda. E ashpër ka qenë dhe përgjigjja amerikane.

Mike Pompeo ka akuzuar Rusinë dhe Kubën se dëshirojnë të destabilizojnë Venezuelën, duke vënë në rrezik marrëdhëniet dypalëshe midis Uashingtonit dhe Moskës. Kreu i Departamentit të Shtetit këmbënguli që Rusia të ndalojë menjëherë aktivitetet mbështetëse për Maduro-n. Ndërsa për të paralajmëruar Kubën, Donald Trump deklaroi: "Nëse trupat dhe milicët kubanë nuk do të ndërpresin menjëherë operacionet ushtarake, ne do të vendosim embargo ndaj shtetit ishullor”.

Ndërkohë në rrugët e Venezuelës vazhdon përplasja mes protestuesve dhe forcave ushtarake të regjimit të Maduro-s. Presidenti i përkohshëm Juan Guaidò ka deklaruar se: "Do të qëndrojmë në rrugë derisa të marrë fund uzurpim i Maduros, krijimi i një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të lira"