Kriza presidencë-qeveri/ Ish-presidenti Bamir Topi në “45 minuta”: Meta do e dekretojë Ramën si ministër të Jashtëm

15 Janar 2019, 17:21

Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në studion e “45 minuta” me gazetarin Denis Minga, në Report Tv ka thënë se nuk priten surpriza përsa i përket dekretimit të kryeministrit Edi Rama edhe si ministër i Jashtëm. Topi tha se në Shqipëri ka rënë niveli i demokracisë, dhe se gjuha e komunikimit Presidencë-qeveri ka rënë, por jo deri në nivelin që ai ka patur diskutimin me Berishën në 21 janar 2011.

“Niveli i demokracisë nuk është gjithmonë në kualitet me informacionin që ti merr. Për mua vjen duke u varfëruar sidomos pas ndryshimeve të vitit 2008. Ata që rekrutohen janë njerëz të paformuar mirë, se s’janë konformistë. Niveli i komunikimit është më i ulët. Gjuha e komunikimit në 21 janar nuk rikthehet më, është Top Level.  Gjuha e komunikimit politik ka rnëë, tentohet të vulgarizohet, tentohet të ushtrohet presion përmes portaleve. Të gjithë ata që i shkojnë pas atij që ka pushtetin marrin gjestikulacionin e tij. Mund të të them 4-5 vetë që punojnë me gjestet e Kryeministrit. Bie personaliteti i atij që votohet nga populli. Kjo gjuhë komunikimi nuk të çon askund.”-tha ish-presidenti Bamir Topi.

Topi ka interpretuar edhe çështjen e pikës nr 2 të nenit 103 të Kushtetutës, ku thuhet se ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore. Topi tha se bëhet fjalë për një interpretim të pushteteve, dhe se kryeministri si Shef i Ekzekutivit mund të bëhet edhe ministër.

“Pika 2, është një kontekst i gjerë përsa i përket një lloji të ndryshëm të veprimtarive shtetërore dhe ato të pushtetit. Në rastin konkret, për mendimin tim, jo vetëm nga eksperienca shqiptare por edhe nga eksperienca botërore, por në kuptimin real të pikës 2 të nenit 103, ai është pushtet ekzekutiv. Rama mund t’a ushtrojë për një kohë punën e Ministrit të Jashtëm. Se shoh problem të madh edhe sikur të punohet me zv.ministra si në kohën e Nanos, por kjo nuk është zgjidhje. Pushteti ekzekutiv është i kryeministrit. Kjo nuk ndodh thjesht me diplomacinë por edhe me dikastere të tjera.”-tha Topi.

Ish-presidenti tha se Rama do të bëhet ministër, por se marrëdhënia e tij me Metën është totalisht e prishur.

“Nuk besoj se do ketë surpriza dhe Meta do e dekretojë Ramën ministër të Jashtëm. Marrëdhëniet mes tyre janë totalisht të prishura, pavarësisht se secili ka problemet e veta, është e pafalshme gjuha e kryeministrit ndaj presidentit.”-tha Topi.

    No videos found.