'Kromi', tragjedia e familjes Rushiti në Bulqizë! Babai i 3 fëmijëve humbi jetën në minierë

30 Tetor 2020, 21:38 | Përditesimi i fundit: 2020-10-30 21:49:37

 

Rexhep Rushiti kishte marrë rrugën e largët të Selishtës për të siguruar ushqim për familjen. Shkoi për të mos u kthyer më nga galeria e kromit, ndërsa pas la gruan dhe tre fëmijë të mitur. Dhimbja është e dyfishtë, Irena qan burrin dhe të ardhmen e fëmijëve. Mes lotësh edhe motra e tij kërkon ndihmë për nipërit. Të gjithë banorët e qytezës së Bulqizës e dinë hallin që e detyroi Rushitin të merrte rrugën 6 orë larg nga Bulqiza deri në galeritë e Balgjajt në Selishtë. Kjo është një tragjedi e përsëritur! Vite më parë nga puna në miniera humbën jetën dhe nëna e vëllai i Rexhep Rushitit. Pas apelit të familjarëve, Report tv iu drejtua Bashkisë së Bulqizës, ku morëm premtimin se dy familjet e minatorëve do të ndihmohen financiarisht. Trupat e pajetë të 33-vjecarit Rexhep Rushiti, 55 vjecarit Fatos Çesku dhe inxhinierit Ismail Hoxha u nxorën pajetë mëngjesin e së premtes. Minatorët kishin hyrë ilegalisht në një galeri të Balgjajt që ishte shpallur jashtë funksionit, të drejtuar nga inxhinieri 64 vjeçar kishte licence për shfrytëzim minerar.