Kruja, 29 të prekur me COVID në 2 fasoneri...2000 banorë të vetëkarantinuar

20 Prill 2020, 14:44

Kruja po shndërrohet në vatrën më të rrezikshme të përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Janë 29 persona të prekur nga kontakti me njëri-tjetrin nga një vatër, një biznes fason, fabrikë këpucësh në Krujë. Vetëm nga testet e kryera në 24 orët e fundit, u identifikuan 5 raste të reja në Krujë dhe 12 në Kurbin. Report Tv mëson se të gjitha rastet e reja i përkasin fabrikës së këpucëve Endi sh.p.k. Mes tyre, shumica janë gra punonjëse të fasonerisë, por ka edhe rreth të ngushtë familjarë, kontakte të tyre, kryesisht fëmijët. Në këtë fabrikë punojnë shumë zonja edhe nga fshatra të Kurbinit, të cilat shkojnë në punë me furgonë, siç janë edhe 12 rastet e fundit.

Ndërkohë, Report Tv mëson se po në Krujë është zbuluar një tjetër vatër infeksioni, sërish në një biznes fason. Bëhet fjalë për një punëtor 20-vjeçar në këtë fasoneri, për të cilin po bëhet hetimi epidemiologjik se nga është infektuar. Fakti që ëma e tij, e cila punon në fasonerinë e parë të prekur dhe më të madhe "Endi Shpk" ka rezultuar negative pasi i është bërë tamponi, shton dyshimet se bëhet fjalë për një vatër të re infeksioni. Biznesi me rreth 300 punëtorë që kanë vijuar punën edhe gjatë periudhës së COVID-19, ndërsa sipas pronarit të fasonerisë puna është vetëpezulluar më 8 prill.