Krujë/ Dy kuksianët arrestohen me mina me telekomandë

7 Dhjetor 2018, 16:06

Krujë-Dy persona janë arrestuar në flagrancë mbrëmjen e së enjtes në Thumanë për trafikim të lëndëve plasëse djegëse, helmuese dhe radioaktive. Report Tv raporton se bëhet fjalë për personin me inicialet A.B. 38 vjeç (banues në Kukës) dhe H.GJ. 26 vjeç (banues po ashtu në Kukës).

Personave të mësipërm i është gjendur në momentin e arrestimit, në një çantë me ngjyrë të zezë, tre kallëpë cilindrikë të mbështjellë me letër kartëpecetë dhe natriban transparent, ku ishin të vendosura tre kapsolla detonatore të lidhura me tel përcjellës të kapura me natriban që ishin të bashkuara me dy aparatë celularë të markës “Nokia”.  Sipas njoftimit policor, kallëpët ishin me peshë rreth 225, 240 dhe 469 gr secili dhe minat me telekomandë mund t'i shërbenin të arrestuarve në kryerjen e veprave të rënda kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, e  kanë finalizuar operacionin e koduar “Muzgu” me arrestimin e dy të sipërpërmendurve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative.