Krujë/ Tërmeti ka dëmtuar 2040 banesa private

6 Dhjetor 2019, 16:41

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit nuk janë evidentuar vetëm në Thumanë, por në të gjithë bashkinë Krujë. Deri më tani janë 161 pallate të verifikuara në rrethin e Krujës, ku 51 prej tyre janë konstatuar me dëmtime shumë të rënda dhe rrjedhimisht janë shpallur të pabanueshme. Ndërkohë tërmeti tragjik ka shkaktuar dëme edhe në 2040 banesa private, prej të cilave 710 janë rrënuar plotësisht. Sipas sekretarit të bashkisë Krujë, Florind Cerhozi, një ndër lagjet më të prekura është ajo ‘Abaze’.

“I gjithë territori i bashkisë Krujë ka qenë mjaft i goditur nga ky tërmet, duke shkaktuar mjaft dëme si në banesa ashtu edhe në ndërtesa shumë katëshe. Rreth 104 pallate janë verifikuar në Krujë. Nga këto ndërtesa shumë katëshe 36 prej tyre janë konstatuar me dëme shumë të rënda.  Po kështu edhe në Fushë-Krujë. Nga 57 pallate rreth 15 prej tyre janë me dëme të rënda.  Ndërsa për banesat përdhese kemi 2040 banesa të dëmtuara dhe një % shumë e lartë, rreth 710 banesa janë të dëmtuara rëndë”, tha sekretari i bashkisë Krujë, Florind Cerhozi.

Tërmeti i 26 nëntorit, 6.4 sipas shkallës Riter la pas 51 viktima, ku vetëm në Thumanë nën rrënoja ndërruan jetë 24 persona dhe pati dëme mjaft të mëdha materiale.