Krujë/ Ura që shpëtoi qytetin nga përmbytja

24 Shtator 2019, 17:21

Ura mbi lumin Zezë në Krujë, shpëtoi qytetin nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e ditës së djeshme. Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Krujë, Artur Bushi u shpreh se “lumi Zezë ka qenë gjithmonë problem për banorët e Krujës, ndërsa me ndërtimin e kësaj ure janë evituar 100% përmbytjet në qytet”.

“E gjithë sipërfaqja e pronave që më parë prekej nga dalja e ujit për shkak të lumit Zezë, këtë herë nuk janë dëmtuar fare”, tha Bushi.

Sipas tij, projekti për rehabilitimin e lumit Zezë që nis nga pika veriore e qytetit deri në rrugën nacionale që lidhet me Mamurrasin është në përfundim. Ndërhyrja po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa punimet kanë nisur në mars 2019 dhe pritet të përfundojnë në korrik 2020. Investimi me vlerë 441.8 milionë lekë ka evituar tërësisht përmbytjet në qytetin e Krujës.

Bushi tha se përmbytjet që kanë përfshirë disa zona të Krujës kanë ndodhur për shkak të daljes nga shtrati të lumit Gjola.Mbi situatën e lumit Gjola, Bushi tha se reshjet e shiut kanë sjellë përmbytjen e fshatrave Bilaj, Murqinë, Ura e Gjolës një pjesë e fshatit Hasan dhe Budull.

Sipas Bushit, “me përmirësimin e kushteve të motit, uji ka filluar të tërhiqet”

    No videos found.