Kryebashkiakja Sako: Rindërtimi nuk ndalet nga pandemia! Vendimi për mbylljen e fasonerive, delikat

24 Prill 2020, 11:41 | Përditesimi i fundit: 2020-04-24 11:42:50

Kryetarja e re e komanduar Emirjana Sako ishte sot në shembjen e një shkolle në Sukth, në kuadër të procesit të rindërtimit pas dëmeve të mëdha që tërmeti i 26 nëntorit la në shumë institucione. Në një prononcim për mediat ajo tha se rindërtimi nuk ka ndaluar pavarësisht pandemisë, ndërkohë që vijon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë.

"Sot jemi në shkollën "Njazi Mastori" në Sukth për të filluar procesin e prishjes së godinave, nisim me këtë shkollë, por edhe në Ishëm po prishën edhe dy godina qendra shëndetësore. Në bashkinë Durrës do prishen 15 godina arsimore pasi kanë dëme të rënda nga tërmeti dhe amortizimit, dhe 7 të tjera do të rikonstruktohen. Rindërtimi nuk ka ndaluar pavarësisht pandemisë, por kemi vijuar dhe ndihmën për familjet në nevojë ku deri më tani janë ndihmuar rreth 3000 familje në total, me fokus pensionistët, familjet e dëmtuara nga tërmeti apo që jetojnë në çadra, të papunët", u shpreh kryebashkiakja e re.