Kryebashkiaku i Bulqizës u akuzua se po pinte kokainë! Balla: Sapo të ngrihet akuza e parë do të shkarkohet! Reagimi ynë do jetë i ashpër

24 Janar 2020, 15:17 | Përditesimi i fundit: 2020-01-24 17:03:22

TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se nëse do vërtetohen akuzat e Partisë Demokratike se kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla shfaqet në një video duke pirë kokainë, reagimi i Partisë Socialiste do të jetë i ashpër. Balla tha se PS nuk do të marrë një mbrojtje askënd dhe sapo të jetë ngritur akuza e parë nga prokuroria do të vijë shkarkimi i Allës nga posti i kryebashkiakut. Ai vlerësoi nisjen e hetimeve nga SPAK si një hap në drejtësinë shqiptare.

"Prej dhjetorit 2019 kur ka filluar puna SPAK, subjekti i së cilës janë nga presidenti tek të zgjedhurit vendorë, duhet të pranojë një standard ndryshe nga ai që ka qenë. Unë dua ta përshëndes SPAK për fillimin e një hetimi të plotë. PS nuk do të marrë kurrë në mbrojtje askënd. Unë nuk di pistat ku po heton prokuroria. Sapo prokuroria të ketë ngritur akuza reagimi im do të jetë i ashpër. Bashkohem me qytetarët e Bulqizës për të ndjerë neveri nëse vërtetohet ashtu si ndjejmë neveri për partitë që po e përdorin. Unë nuk i kthej asnjë përgjigje Partisë Demokratike. PD ka akuzuar kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës dhe prej 6 muajsh nuk është vërtetuar asnjë akuzë. Ju thatë 5, mund të ketë edhe 55, por tani kemi organet e drejtësisë për t'i shkuar deri në fund. Rast i djeshëm është një rast për të vërtetuar se çështjeve nuk mbyllen me një akuzë politike. Ajo që duam ne është se nëse vërtetohen akuzat është që dënimi të jetë i ashpër", tha Balla.