Kryegjyshata çel galerinë 'Omer Kaleshi', Baba Mondi rrëfen pse po hap portat e artit në institucion

22 Nëntor 2019, 17:07

Omer Kaleshi, piktori shqiptar me origjinë nga Kërçova e Maqedonisë, që banon prej 50 vjetësh në Paris, vjen në Tiranë për të shënuar një ngjarje të re në kulturën dhe traditën shqiptare.

Me një ekspozitë unikale, Kaleshi çel të parën galeri arti në një institucion fetar në Shqipëri. Kjo galeri do të mbajë edhe emrin e tij dhe aty do të qëndrojnë edhe pikturat që u ekspozuan këtë mërkurë në Muzeun e Bektashizmit në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë“Një nga këto lëvizje shpirtërore është edhe nisma dhe gjesti shumë i madh i piktorit Omer Kaleshi, i cili krijon një galeri unikale në gjithë Shqipërinë, e ndoshta në Ballkan, që lidhet me një koleksion portretesh të tij, të një arti të veçantë.”, -tha shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo.

Mesazhi i veprave të Omer Kaleshit është se: duhet të ndërpriten paragjykimet dhe dallimi i njerëzve në bazë fetare, etnike apo kombëtare.“Do të kthehem në Paris shumë i kënaqur, qysh u bë kjo galeri në një vend shumë të mirë, edhe shumë mirë.”,- tha piktori i njohur Omer Kaleshi. 

Baba Mondi e cilësoi ditën e çeljes së galerisë “Omer Kaleshi” në institucionin fetar si një ditë historike për bektashizmin, që i hap rrugë krijimtarisë artistike. “E falënderoj nga zemra që një piktor kaq i madh bëri një vepër kaq bamirëse për bektashizmin”, -tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj, kryegjysh i bektashive dhe sufive në Tiranë dhe Ballkan.

I pyetur se, sipas besimtarëve myslimanë është menduar se piktura, fotografia apo skulptura janë të ndalura, Baba Mondi shprehet se në këtë rast bëhet fjalë për një keqinterpretim të udhëzimeve fetare:

“Nuk ndalen në asnjë vend të botës nuk ndalet, as në fenë islame, por në faltore nuk lejohet. Kjo nuk është faltore, është muze, prandaj lejohet dhe fotografia edhe piktura. Siç mbajnë ne edhe fotografitë e gjyshes, gjyshit apo familjarëve tanë. ashtu mbajnë edhe ne skulpturat dhe pikturat e këtyre shenjtorëve tanë.  Ne nuk duhet të keqpërdorim thëniet e tij, e të Kuranit që janë një buti drite për të gjithë njerëzimin.” - tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Bektashinjve.