Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga selia e partisë së saj ka uruar vitin e ri, duke e quajtur atë që po lëmë pas një vit dështimi.
Në deklaratën e saj për shtyp, Kryemadhi tha se 2018 do të mbahet mend si viti më i varfër për shqiptarët, do të mbahet mend si viti i korrupsionit, skandaleve por edhe si viti i protestave.
"Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave. Filloi me protestën e opozitës në 27 Janar 2018. Vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve për statusin e tyre. Me protestën e minatorëve, me protestën e biznesit të vogël, të cilët u ngritën për shkak të vendosjes së taksave të larta për ta dhe falimentimit dhe mbylljes së qepenave të tyre. U ngritën në protestë banorët e bregdetit për grabitjen e pronës së tyre. U ngritën qytetarët e Shkodrës kundër kapjes dhe pushtimit të qytetit nga bandat dhe krimi i organizuar. Dhe si qershia mbi tortë, ishte protesta studentore. Protesta e studentëve, solli besimin, solli shpresën te shqiptarët dhe përmbyllet viti 2018 me protestën e diasporës ku për herë të parë shqiptarët e larguar, rikthehen për ti rikthyer dinjitetin vendit të tyre,"-tha Kryemadhi.
Ndër të tjera, Kryemadhi tha se viti 2018 do të mbahet mend gjithashtu si viti kur dështuan negociatat për në BE-në duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si pengesën më të madhe të Shqipërisë.