Kryemadhi: Ditë të bukura do vijnë për shqiptarët! Në 13 prill dilni në protestë

11 Prill 2019, 13:54

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka radhitur sot një sërë arsyesh pse sipas saj qytetarët shqiptarët duhet të dalin në protestë kundër qeverisë më 13 prill, në tubimin e organizuar nga opozita e bashkuar, tashmë joparlamentare.

Në një deklaratë nga selia e LSI-së, Kryemadhi tha se qeveria u ikën përgjegjësive të saj, ndërkohë që policia e shtetit sipas saj është e lidhur me krimin dhe në shërbim të bandave.

"13 prilli është  protesta e gjithë qytetarëve. Do të jetë protestë, ku të gjithë ne së bashku t’i japim fund tranzicionit dhe të ndërtojmë sistemin e vlerave dhe të përmbysim sistemin e antivlerave. Të përmbysim sistemin e krimit të organizuar, të përmbysim sistemin e njerëzve të kapur. Ditë të reja dhe të bukura do të vijnë për shqiptarët, këto ditë shiu do të mbyllen bashkë me errësirën bashkë me ligësinë e një njeriu që ka kapur këtë vend dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë. Zoti i ruajtë të gjithë shqiptarët", tha Kryemadhi .