Kryemadhi i 'shkon' në lagje Bashës,' këshillohet' me bashkëshorten e tij

24 Prill 2019, 18:26 | Përditesimi i fundit: 2019-04-24 18:42:29

Të konsideruar dy ish-kundërshtarë të fortë politikë, të betuar për të mos lidhur aleancë me njëri-tjetrin, tashmë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë së bashku në një koalicion zgjedhor, që në fakt, në kundërshti të fortë me emrin e tij "zgjedhor", është për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve, përsakohë sipas tyre, kryeministër do të jetë Edi Rama. Në një vendim ekstrem për të lënë Parlamentin dhe për të dalë në rrugë në protesta antiqeveritare, opozita e bashkuar Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, me disa aleatë me historik të majtë e të djathtë, siç janë Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Dash Shehi, Vangjel Dule e Shpëtim Idrizi.

Por marrëdhënia e PD-së dhe LSI-së duket se është më e ngushtë se kaq. Një lidhje e veçantë është edhe mes kryetares së partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe bashkëshortes së liderit demokrat Lulzim Basha, Aurelës. Të dyja janë filmuar teksa kanë konsumuar një kafe të gjatë me njëra-tjetrën. Nuk dihet se çfarë është biseduar mes tyre, por është e dukshme që bisedat e kafes nuk kanë mjaftuar, pasi teksa kanë dalë nga lokali për tu ndarë me njëra-tjetrën, Aurela Basha dhe Kryemadhi kanë biseduar thuajse për 15 minuta të tjera.

Monika Kryemadhi i kishte ardhur në lagje Aurela Bashës, pranë stadiumit "Qemal Stafa" ku ajo banon, e shoqëruar me makinë nga truproja i saj, dhe një mike.

Aurela Basha është parë krah kryedemokratit Basha në disa prej protestave të mbajtura kundër qeverisë Rama, përmes së cilave kërkohet krijimi i një qeverie tranzitore dhe mbajtjes më tej të zgjedhjeve të parakohshme. Nuk ka qenë shumë prezente, pasi është shfaqur vetëm në momentet e ecjes së Bashës nga selia për në kryeministri apo Parlament. Por ky takim mes saj dhe kryetares së LSI-së, lë të kuptosh se Aurela nuk është thjesht bashkëshortja që shoqëron Lulzim Bashën në 'ecjen' drejt protestës.

Nuk dihet nëse është Monika Kryemadhi ajo që ka më shumë ndikim në bisedë me planet e saj të të protestuarit, apo nëse edhe Aurela Basha, si bashkëshorte e kryedemokratit tashmë pa mandat deputeti, ka peshën e saj në këtë skenar. Por nga sa u pa nga biseda mes tyre, Kryemadhi ishte më shumë në rolin e "dëgjueses".