Kryemadhi në Sauk: Mijëra shtëpi të përmbytura! Qeveria e poshtër, i mungon dashuria për njerëzit

10 Janar 2021, 11:03 | Përditesimi i fundit: 2021-01-10 12:03:03

Mëngjesi i së dielës e gjeti kryetaren e LSI Monika Kryemadhi me banorët e Saukut në njësinë nr 2 në Tiranë me të cilët shprehu shqetësimin për situatën e krijuar nga përmbytjet. Sipas saj janë me mijëra shtëpi të përmbytura dhe familjarët nuk kanë asnjë përkrahje.

 “Vërtetë jemi në aspektin e prezantimeve dhe organizimit të strukturave tona në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet e 25 prillit, por ajo që po ndjejmë çdo ditë e më shumë është mungesa që kanë njerëzit në infrastrukturë.

Jo veç ekonomia që është rrënuar për shkak edhe të keqqeverisjes, por edhe pandemia ka goditjen e vet. Familjet shqiptare janë varfëruar për shkak të shëndetësisë që është shumë e shtrenjtë për Covidin. Një i sëmurë me Covid shërbimet dhe ilaçet janë jashtëzakonisht të shtrenjta, por gjithë kësaj po i shtohet edhe situata e përmbytjeve. Ka mijëra hektarë tokë të përmbytur, por jo vetëm tokë bujqësore, por janë edhe me mijëra shtëpi të përmbytura, të cilat nuk shikojnë asnjë lloj përkrahje nga qeveria”, tha Kryemadhi.

Qeverinë Rama, Kryemadhi e quajti të paaftë dhe të poshtër.

“Covidi që shkatërroi emocionalisht familjet tona dhe tani nga ana tjetër kemi edhe këtë situatë që shikojmë një papërgjegjshmëri të qeverisë. E thënë shkurt totalisht të paaftë. Nuk më duken vetëm të paaftë por edhe të poshtër, pasi ju mungon dashuriar për të ndihmuar njerëzit.  Sepse mund të jesh i paftë, por ke dëshirë për ti ndihmuar njerëzit. Por paaftësia e tyre ka kaluar tashmë çdo lloj limiti.  Ajo që ne shikojmë çdo ditë e më shumë është se një nga problemet më të mëdha qe kemi është mungesa e prezencës së shtetit. Njerëzit janë prezentë në problemet e tyre, por shteti është prezent vetëm për ti përdorur, për të bërë propagandën apo dhe për ti kërcënaqur ata që nuk janë dakord me ta”, shtoi ajo.

Edhe qytetarët i shprehën shqetësimet kryetares së LSI, që kryesisht kishin të bënin me largimin e fëmijëve jashtë Shqipërisë.