Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh nga Shkodra se Shqipëria është pozicionuar në "hartën e zezë" të vendeve që mund t'iu rikthehet viza, për shkak të trafikut dhe kriminalitetit që po zhvillohet dita ditës. Ajo tha se qeveria aktuale e vendit ka ardhur në pushtet vetëm në sajë të bandave kriminale.
Kryemadhi e cilësoi vendimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të dalë në opozitë si të domosdoshme, pasi sipas saj LSI nuk mund të bëhej bashkëfajtore me grupet kriminale të kryeministrit Edi Rama.
Për hir të së vërtetës dua të theksoj se LSI pas zgjedhjeve të 2017-ës nuk kishte më mënyrë tjetër por vetëm një qëndrim të saj, pozicionimin e saj në opozitë. Dalja në opozitë mund të ketë qenë zhgënjim për disa njerëz, por ishte e domosdoshme. Ose do të bëheshim palë me qytetarët, ose për t’u bërë pjesë dhe bashkëfajtor me grupet kriminale të Edi Ramës. Kemi dëgjuar shprehje vulgare të Ramës ku me tutat e tij të sportit që fliste për kazanin, shushunjat, garuzhde dhe tepsitë. Sot ai i ka vet të gjitha këto. Qeverisja me ta ka qenë një qeverisje ku ministrat e LSI kanë bërë më shumë se kushdo tjetër, edhe kur kryeministri i sabotonte me punën e tyre.
Monika Kryemadhi, Kryetare e LSI-së
Kryemadhi u shpreh më tutje se Edi Rama po ushtron një diktaturë neo-komuniste e kriminale, e cila ka depërtuar brenda shtëpive të shqiptarëve. Për këtë arsye, ajo theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit janë shumë të rëndësishme për forcën e saj politike, pasi opozita është mëse e vendosur për t’i rikthyer integritetin dhe dinjitetin Shqipërisë dhe shqiptarëve që kanë përfunduar si skllevër jashtë vendit.
Kryetarja e LSI-së theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë ç’është e mundur që Rama të rrëzohet, pasi sipas saj, gjendja aktuale e vendit demonstron se Ramës nuk i intereson që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Duke e akuzuar për një lidhje të ngushtë me oligarkët, Kryemadhi u shpreh se Rama duhet të rrëzohet sa më parë, si me votë ashtu edhe me protestë.