Kryemadhi prezanton kandidatët në Peqin: Rama urren qytetarët e tij, ka urrejtje për gjuhën shqipe

1 Prill 2021, 10:48 | Përditesimi i fundit: 2021-04-01 18:56:18

Nga Peqini, ku ka prezantuar kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun Elbasan, Monika Kryemadhi ka sulmuar Kryeministrin Rama për deklaratat e tij për emigrantë të huaj në vend.

Kryemadhi tha se Rama ka urrejtje për qytetarët e tij, ka urrejtje për gjuhën shqipe do të zhdukë historinë

"Ne kudo që shkojmë, e fillojmë ditën nga mëngjesi deri në darkë, edhe në këto kushte pandemie, të cilat kanë shkaktuar një situatë të paprecedentë, ndërkohë që kemi një Kryeministër i cili ka një urrejtje patologjike për njerëzit e tij, se mjafton të dëgjosh dy deklarata absurde, kriminale, sikurse është e para që kush nuk me voton mua, kush nuk më përkrah mua nuk bën vaksinën, sikur i ka vaksinat e veta ky. Ky edhe mjek, edhe infermier, edhe farmacist, të gjitha i bën ky dhe bën një kërcënim të tillë haptas, që për hir të së vërtetës, po të kishte një sistem drejtësie të pavarur dhe të pakapur, gjëja e parë që do të bënte do të ishte jo vetëm largimi nga detyra, por do ta merrte dhe të pandehur për shantazh dhe për gjenocid, sepse në një farë mënyre ky është një gjenocid politik.

Dhe nga ana tjetër, absurditeti tjetër pastaj që ky njeri nuk i konsideron më qytetarët e tij, i zëvendëson dhe pa pikë turpi thotë që ne do të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, etj. Jo për çështje racizmi, e as diskriminimi, por si mund të largosh ti njerëzit e tu, qytetarët e tu, fëmijët e tu dhe u thua edhe mos mësoni as shqipen, pra ky njeri ndien neveri edhe për gjuhën shqipe. Ky ndjen neveri për çdo gjë që është shqip", tha kryetarja e LSI.