Kryemadhi: Rama nuk e kupton çfarë e pret, do e kapim në befasi herën tjetër

25 Prill 2019, 21:25

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka qenë në Durrës, në krye të protestuesve që bllokuan për rreth një orë  rrugët. Ajo ka thënë se ditët e tjera do ta kapin në befasi kryeministrin Edi Rama. Sipas Kryemadhit, opozita ka me vete televizionet e SHBA-së dhe BE-së.

“Ka një pjesëmarrje të madhe, kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe duke menduar që kjo është një nga rrugët kryesore.

Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndan atë ndjenjë proteste që bëjnë qytetarët në protestat e Tiranës, tashmë shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë financiare për të ardhur në protestat që organizohen në Tiranë, sepse pjesa më e madhe ka qenë me qytetarët e kryeqytetit. Por, ne tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë.

Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve.Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar.

Është paralajmërimi për Ramën. Akoma nuk ka filluar. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me ndërkombëtarët. Rama nuk e ka kuptuar. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar shumë mirë se çfarë ka ndodhur. Mjaftoni të shikoni televizionet shtetërore të të gjithë Europës e në SHBA ,të cilët përkrahin qytetarët shqiptarë që janë ngritur në protestë kundër këtij kryeministri që ka vjedhur zgjedhjet dhe i ka blerë ato me paratë e krimit të organizuar.

Kundër një kryeministri që e ka kapur shtetin dhe që e ka kapur peng krimi i organizuar. Sot protestat në pesë pikat kryesore, janë protesta për ti thënë Edi Ramës që je akoma në kohë. Mos vazhdo më që të provokosh shqiptarët, por tërhiqu dhe jepu shansin shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo qytetar europian, ashtu si këta qytetarë po thërrasin sot”, tha ajo.