Kryemadhi shpreh dëshirat nga mali i Tomorit: Kush beson në Zot do të jetojë i lumtur pa COVID

22 Gusht 2020, 12:05 | Përditesimi i fundit: 2020-08-22 14:07:58

Në malin e Tomorit për t'u lutur sot ishte edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. E ndërsa hyri dhe doli nga teqeja pa maskë, Kryemadhi u shpreh për Report Tv se nuk e njeh sëmundjen e koronavirusit. "Unë nuk e njoh COVID, kush beson në Zot do të jetojë i lumtur pa COVID".

Drejtuesja e LSI-së shprehu edhe një dëshirë. "U uroj të gjithë besimtarëve bektashinj që ajo mbarësi që Abaz Aliu solli për Shqipërinë të rikthehet edhe njëherë për t'iu sjellë shqiptarëve më shumë begati, mundësi dhe më shumë punësim. Një jetë më të qetë dhe garanci për të fëmijët për të ruajtur familjen që është e shenjtë. Zoti i ruajtë shqiptarët" tha ajo.

Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin lutet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

 Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorit, i cili ndodhet 2417 metra mbi nivelin e detit. Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit përfundojnë në 25 Gusht.