Kryemadhi takim me gjimnazistët: Reformimi i arsimit nuk bëhet me piktura, bashkojuni protestës

4 Janar 2019, 14:53

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, zhvilloi këtë të premte një takim me struktuarat e LRI-së, në gjimnaze ku foli për problemet në fushën e sistemit arsimor. Gjatë fjalës para gjimnazistëve Kryemadhi theksoi se problematikat në arsim nuk janë vetëm në universitete, por në të gjithë zingjirin e sistemit arsimor sot.

Në tryezën e bashkëbisedimit me gjimnazistët, Kryemadhi u ndal tek problemet që hasin gjimnazistët sot në arsim dhe akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka bërë asgjë për të plotësuar kërkesat e sistemit arsimor dhe se sipas saj reformimi i arsimit nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por me punë konkrete dhe përkushtim.

Ajo që mendoj unë se është shumë e rëndësishme është  që pak nga pak të hartohet një rezolutë, nuk është e thënë se vulën e kujt forumi rinor do të ketë, por një rezolutë ku kërkesat e maturantëve dhe gjimnazistëve janë shumë të qarta, nuk janë kërkesa partiake. Janë kërkesa që kërkojnë një reformim të sistemit arsimor. Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar. Pse e themi këtë kombëtar? Sepse partitë politike dhe qeveritë ndryshojnë sipas humorit të kryeministrit, por reforma në arsim, sistemi në arsim nuk mund të ndryshojë sa herë t’i dojë qejfi ministrit apo ministres apo drejtorit të përgjithshëm të arsimit të lartë apo të arsimit të mesëm e kështu me radhë.