Kryemadhi: Vendi është në alarm, krimi nuk ka frikë nga shteti

31 Gusht 2018, 13:09

TIRANE-Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një takim me të rinjtë e LRI ka replikuar me ambadasën e SHBA në lidhje me deklaratën për sulmin mbi banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala dje. Ambasada e SHBA u shpreh dje se ‘Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë’.Por Kryemadhi sot u shpreh se po të ketë krimineli frikë nuk qëllon me kallash, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama si të lidhur me krimin.

Shqipëria ndodhet në gjendje alarmante. Shqipëria është në kufijtë e humbjes së identitetit. Sot kriminelët nuk kanë më frikë nga shteti. Kriminelët kanë pasur një lloj frike, por sot nuk kanë më se është në dorën e tyre. Dëgjojmë deklarata qesharake, që krimineli ka frikë nga drejtësia, por po të ketë frikë nga reforma në drejtësi nuk qëllon qytetarët me kallashnikov. Po të ketë frikë nuk do të kishim këtë gjendje që është sot. Kryeministri orienton dhe drejton dorën e krimit shqiptar ndaj shqiptarëve.

Monika Kryemadhi

Banesa e prindërve të gazetares së kronikës Klodiana Lala u bë pre e një sulmi me armë mëngjesin e ditës së djeshme. Në drejtim të banesës u derdhu një breshëri kallashnikovi, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Gjatë fjalës së saj Kryemadhi paralajmëroi një aksion të fortë politik nga opozita kundër qeverisë në shtator, që synon rrëzimin e Ramës. Ajo shtoi se strukturat e LRI në të gjithë vendin do të rifreskohen.

Besimin te shqiptarët do ta fitojmë duke filluar aksionin politik. LSI është rritur për shkak të LRI. Do të rifreskojmë të gjitha strukturat e LRI në të gjithë vendin. Duhet të kthehemi në një uragan për të shkatërruar krimin e organizuar. Në shtator nisin ditët e nxehta të verës për politikën. Do të jetë sesion parlamentar i vështirë që nis me grabitjen e Teatrit Kombëtar, që është grabitje e kulturës dhe historisë

    No videos found.