Kryemadhi: Vendimi i Holandës i vuri vulën dështimit të qeverisë Rama

17 Prill 2019, 14:24

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika e Kryemadhi e ka cilësuar vendimin e parlamentit holandez, si një tregues të dështimit të qeverisë shqiptare. Nga selia e kuqe, Kryemadhi tha se nuk janë protestat e opozitës apo djegia e mandateve që e krijojnë këtë problem shqetësues, por dështimi i qeverisë drejtuar nga Rama.

"DASH e cilëson Shqipërinë si një bazë për organizatat e krimit që operojnë në SHBA, Europë dhe Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme. Nuk janë protestat e opozitës apo djegia e mandateve që e krijojnë këtë problem, po është nga dështimi i qeverisë së Ramës.  Ky vendim i parlamentit europian i vë vulën dështimit të qeverisë, si dhe sinjalizon nivelin e ulët të Shqipërisë që të përballojë sfidat e BE. Nuk ka më kohë, nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të reagojmë", tha Kryemadhi.