Hapësira publike e Roskovecit është drejt ndryshimit, ku kantieret e transformimit urban janë shtrirë nga qendra në blloqet e banimit.
Ndërtimi i godinës së re të bashkisë dhe rikonstruksioni i bulevardit kryesor, shtrimi me pllaka guri, rehabilitimi i fasadave të ndërtesave dhe veshja me pllaka guri të kateve të para është drejt përfundimit.
Drejt përfundimit është edhe rehabilitimi i bllokut të banimit nr.2, që përfshin ndërhyrjet në rrjetin inxhinierik, ujësjellës dhe kanalizime dhe rehabilitimin e fasadave të pallateve.
Kryeministri Edi Rama ishte në Roskovec dhe pa nga afër ecurinë e punimeve për sipërfaqen prej 3,5 hektarësh.
Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi shpjegoi në detaje punën e deritanishme, e cila nisi mbi gërmadhat e ngrehinave të amortizuara që përhapnin ndotje dhe krijonin kaos.
Bufi e cilëson ndërtesën e re të bashkisë, si një infrastrukturë moderne që do të përmbledhë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve në një 'One stop shop', ndërkohë që ndërtesa ekzistuese, më e vjetra e qytetit, do të shërbejë si muze i traditës.
“E gjithë pjesa përfituese e rikualifikimit urban është një sipërfaqe prej 3.5 hektarë. Përfshihen disa nënobjekte që kanë të bëjnë me sheshin. Është plotësuar e gjithë pjesa e infrastrukturës nëntokësore që ka të bëjë me furnizimin e ujit të pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza", ka thënë kryebashkiakia.
Ajo është shprehur se në pjesën e fasadave, të gjitha katet përdhe kanë marrë veshjen me gurë, suvatimet e godinave, të cilat nuk kanë qenë dhe lyerjet e tyre.
"Pjesa e ndriçimit në të gjithë hapësirën që rikualifikohet, pjesa e gjelbërimit. Është dhe godina e re e bashkisë që do t’i përmbledhë në një ndërtesë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve. Janë dy sheshe. Njëri është planifikuar për aktivitet të ndryshme që do të bëjë bashkia e qytetit, si dhe takime të ndryshme.", ka thënë kryebashkiakia.
Gjithashtu një sipërfaqe e gjelbër i është dedikuar moshës së tretë dhe fëmijëve. Më përpara ka patur disa godina të amortizuara që krijonin një papastërti dhe ndotje të madhe të të gjithë ambientit.
"Godina atje është një godinë ekzistuese e bashkisë, një nga më të vjetrat e ndërtuar në vitin 1926, e cila do të kthehet në muze, për të pasqyruar një pjesë të traditës së Roskovecit dhe të zonës më gjerë. Në bashkinë e re një hapësirë do ti dedikohet One Stop Shop, ku qytetarët do t’i marrin aty të gjitha shërbimet” ka shpjeguar kryebashkiakia.