TIRANE- Hotelet duhet të zbrazen pas vitit të ri. Kështu deklaroi kreu i qeverisë Edi Rama në mbledhjen e fundit në kushtet e jashtëzakonshmërisë. Rama tha se hapja dyerve duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse duan të qëndrojnë në hotel për festa edhe nëse nuk kanë dëme nga tërmeti. Ai u shpreh se ka dy opsione për ata që i janë dëmtuar shtëpitë: të marrin paratë dhe të gjejnë një shtëpi me qira derisa të mbarojë ndërtimi i shtëpive, ose të futen në shtëpitë me qira që i gjen shteti, ndërsa u shpreh se për ta është parashikuar edhe një fond shtesë për transportin. Kryeministri deklaroi se do të nisë blerja e apartamenteve, ndërsa shtoi se do të negociohet me pronarët e apartamenteve stok për çmime të ulëta, pasi siç tha ai, ky nuk është rasti për të bërë tregti.
Rama tha Fondi Shqiptar i Zhvillimit bashkë me bashkitë duhet të përgatisin një raport me zonat ku do ndërtohet për të bërë verifikimin me hipotekë të çdo prone dhe se raporti duhet të jetë gati javën e ardhshme. Ai u shpreh se Komiteti Kombëtar për Rindërtimin do të mblidhet ditën e hënë për ta ndarë punën me organizatat që të dislokohet fondi i tyre. Kreu i qeverisë deklaroi se po vijon mbledhja e dokumentacionit për hetimet për 155 objekte të futura në kategorinë e rrezikut.