Kryeministri Rama, një rrëfim për Tiranën krah Zgarbit në Torino

12 Maj 2018, 14:34

Kryeministri shqiptar Edi Rama është i ftuari special në panairin e librit në Torino si autor i librit “Kurban”-”Il sacrificio”, që është përkthyer këtë vit në Itali.  “E gjithë kjo në një ditë” është tema zyrtare e edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit të Torinos që ka nisur më 10 maj dhe do të vijojë deri më 14 maj.

“Një temë që hap shpresë, të ardhme, liri, në një situatë që nuk është veçanërisht e favorshme për vendin tonë dhe për industrinë kulturore.”, shkruhet në faqen zyrtare të këtij panairi, ku bëhet me dije se cilët do të jenë pjesëmarrësit më të rëndësishëm dhe risitë e këtij panairi.

“Do të ketë shumë risi në prurjet e këtij panairi dhe emra të njohur.  Një nga këto  do të jetë prezantimi i librit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama "Kurban / Il sacrificio, që do të mbahet a do të mbahet e diel më  13 maj, ora 10.30 në Sallën e Blue të Pavijonit 2. Një diskutim me autorin, Vittorio Sgarbi.”, shkruan Overia Mannelli.  

Takimi i së dielës në orën 10:30, në Sallën “Blu”, në hapësirat e Panairit të Librit në Torino, do të bëhet me temën “La mia Tirana”-”Tirana ime”, kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë pjesë e seksionit “Scrittori dal mondo”, i cili mbledh figura të shquara të letërsisë botërore. Mësojmë se Kryeministri Rama do të pozicionohet në seksionin që titullohet “Aktualiteti dhe politika”.

I gjendur mes artit dhe politikës, pikturës, pasionit për të shkruar dhe karrierës politike, Rama do të ndajë me të pranishmit këtë eksperiencë. Por siç njoftojnë organizatorët e Panairit të Torinos, bëhet fjalë për një diskutim shumë të zgjeruar ku “si autor i një autobiografie mbi eksperiencën e tij publike, Kryeministri shqiptar, dikur edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, reflekton mbi rëndësinë e marrëdhënieve të mira politike, diplomatike dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë”.

    No videos found.