Veliaj: Në 11 shkurt, Tirona mbush 100 vjeç! Ju presim në aheng, raki dhe dolli

8 Shkurt 2020, 19:38 | Përditesimi i fundit: 2020-02-08 19:39:00

Me rastin e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka organizuar disa aktivitete, që do të kulmojnë me koncertin e së martës në sheshin “Nënë Tereza”, ora 19.00 duke bërë bashkë disa nga emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare dhe tiranase, ku nuk do të mungojë as Banda e qytetit dhe Ansambli “Tirana”.

Sipas zyrës së shtypit të bashkisë, mes emrave të njohur të muzikës që do të këndojnë për publikun e kryeqytetit në natën e 11 shkurtit janë Artjola Toska, Bujar Çiçi, Irma Libohova, Merita Halili, Pajtim Struga, Sinan Hoxha dhe Valbona Mema.  

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti disa nga yjet e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, të cilët do të ndezin atmosferën në këtë mbrëmje magjike. “Të gjithë themi ‘ku ka si Tirona', por realisht ku ka si Tirona! Në datën 11 shkurt, Tirona mbush 100 vjeç! Do bëjmë një superfestë me aheng me këngëtarët më të mirë që i kanë dedikuar jetën, pasionin, zemrën, këngëve të Tironës. Ju presim te sheshi ‘Nënë Tereza’ në orën 7 të mbrëmjes, me dolli, me raki, me qejf, me aheng, me familje, me kushërinj, me gjithë çfarë ju do zemra, për t’i uruar Tiranës Gëzuar Ditëlindjen!”, tha Veliaj, njofton zyra e shtypit.