Shorti i kualifikueseve të Botërorit nuk është treguar aspak zemergjërë me Shqipërinë duke e vendosur në Grupi I me gjashtë skuadra. Kundërshtari më i fortë në letër do të jetë Anglia, ndërsa rivalët tjerë do të jenë Polonia, Hungaria, Moldavia dhe San Marino.
Në Botërorin e 2022 në Katar do të shkojë direkt skuadra që renditet e para, ndërsa ekipi i dytë bën ‘play-off’. Në përfundim të shortit, trajneri i Kombëtares Edy Reja, është shprehur pessimist për një kualifikim të mundshëm.
“Nuk kemi qenë me fat sepse shorti na ka penalizuar. Dihej se do të kishim një skuadër tepër të fortë që në këtë rast ishte Anglia, por më tej na ka rënë Polonia, ekipi më i fortë i vazos së dytë. Do kisha dëshiruar që të ishim në grupin e Danimarkës ose Kroacisë, por ne nuk do të luajmë si të mundur. Do provojmë edhe shanset tona.”
Aspak mëshirë nuk ka treguar shorti edhe për Kosovën, përfaqësuesen tjetër shqiptare. ‘Dardanët’ do të jenë në grupin B së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Ndërkohë kampionët e Botës në fuqi, Franca, do të jetë në grupin D me Ukrainën, Finlandën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kazakustanin. Italia, e cila në Botërorin e Francës dështoi të kualifikohej, do të jetë ne grupin C me Zvicrën, Irlandën e Veriut, Bullgarinë dhe Lituaninë, ndërsa Gjermania në grupin J me Rumaninë, Islandën, Maqedoninë e Veriut, Armeninë dhe Litenshtejnin.
Kualifikueset e Botërorit të Katarit do të nisin me 24 mars 2021 dhe të mbyllen me 21 mars të 2022, ndërsa për herë të parë Kupa e Botës do të zhvillohet në dimër, nga 21 nëntori i 2022 deri më 18 dhjetor kur edhe të luhet finalja.
