Pas fjalimit të tij me banorët e komunitetit të Lushnjes, kryeministri Edi Rama iu drejtua të rinjve në kuadër të anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.
Rama e vendosi theksin tek pjesëmarrja në politikë, se si kjo përfshirje e bën qytetarin një person kontribues për shoqërinë.
“Në procesin e aktivizimit politik, ka mundësi për diskutime, për debate. E të qenurit pjesë e një komuniteti të tillë mund të jetë argëtuese, stimuluese dhe e shëndetshme, ku brenda është edhe gara, për t’i imponuar dikujt tjetër idenë tënde”, u shpreh më tutje ai.
Për të demonstruar forcën e votës, kryeministri mori si shembull vendimin për mbylljen e bizneseve të lojrave të fatit.
“Vendosëm të mbyllnim kazinotë elektronike dhe bastet, në mënyrë që të mos shkoni nëpër loto dhe të lini atje lekët që prindërit mezi i nxjerrin. Por a do të mbylleshin kazinotë dhe bastet nëse vota do të kishte prodhuar një shumicë dhe qeveri tjetër? Jo nuk do të mbylleshin, sepse nuk u mbyllën kur vota prodhoi një shumicë tjetër qeverisëse”, tha Rama.
Teksa shpërndau kartat e anëtarësimit tek një sërë të rinjsh, Rama nuk ngurroi të sillte me nota humori si shembull edhe anëtarësimin e tij në këtë forcë politike.
