Kukës/ liqeni i Fierzës në kuota kritike, specialistët: Rënia e nivelit të ujit, rrezik për gjallesat

4 Dhjetor 2018, 21:46

Rajoni i Kukësit ka pësuar rënie të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, për shkak të thatësirës së përjetuar përgjatë muajve të fundit. Rritja e nivelit dhe prurjet nuk janë ndihmuar as nga reshjet e fundit të shiut.

Eksperti i mjedisit, Arben Palushi, thekson se niveli i ujit është në kuotën kritike nën 270 m dhe se aktualisht  liqeni është i pashfrytëzueshëm. Një kuotë e tillë uji, sipas tij, rrezikon gjallesat të cilat ndodhen në të.

Sic shihet situata në liqenin e Fierzës është në kuota kritike, është ulur nën kuotën 270 m. Në këtë kuotë me 1 miliardë metër kub ujë, duhet të adoptohet. Liqeni në këtë lloj mënyre që shfrytëzohet nga KESHI, është i pashfrytëzueshëm për ne.

Arben Palushi, Ekspert i Mjedisit

Këto të dhëna tregojnë se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet e ujit vazhdojnë të jenë të ulëta dhe arrijnë në 35 metër kub ujë në sekondë. Situata është e përsëritur dhe pavarësisht apelimeve nga ana e specialistëve mjedisorë, asgjë nuk është marrë në konsideratë.

Në mesin e këtij viti, liqeni i Fierzës ishte pranë kuotës maksimale për shkak të reshjeve të shumta që u regjistruan gjatë muajit qershor dhe fillimit të korrikut, por tashmë situata në këtë kaskadë është krejtësisht ndryshe.

Është e pashfrytëzueshme si nga ana turistike ashtu edhe nga ana biologjike. Gjithë sasia e peshkut që pretendohet se duhet kultivuar apo rritet, sapo ulet volumi 1 miliadë metër kub ujë nga 3, e gjitha peshkohet nga baltina e Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi dhe në pranverë fillon sërish e gjithë historia.

Arben Palushi, Ekspert i Mjedisit