Kuksianët nuk kanë frikë nga koronavirusi: Sa të pimë raki jemi të mbrojtur! Kemi kaluar gripe

10 Mars 2020, 10:55

KUKES - Qytetarët kuksianë nuk shfaqet aspak të frikësuar pas rasteve të para të të infektuarve me koronavirus në Shqipëri. Për Report Tv, ata thonë se i kanë marrë masat personale duke zbatuar rregullat e thjeshta të higjienës me larjen e shpeshtë të duarve, ruajtjen e distancës me personat dhe mos dhënien e dorës. Thonë se nuk kanë frikë nga vdekja dhe se gjithçka që është e shkruajtur do të ndodhë.

Qytetarët kuksianë thonë se ne kemi kaluar edhe epidemi të tjera pa asnjë problem. Ka nga ata që thonë se kuksianet nuk preken nga epidemitë sepse mbrohen duke pirë raki. 

Keni frikë?

Jo hiç fare, pse të kem frikë. Ne raki e pimë, si të pimë raki jemi të mbrojtur. Lajmë duart, lajmë gurmazin edhe jemi në rregull.

Ne kemi kaluar gjithë këto kohë me grip, pse e bëjnë të rrezikshëm këtë, ku e di unë. Absolutisht nuk kam frikë, një ditë kam për të vdekur. Sapun e masat i kemi. S'kemi çfarë t'i bëjmë, kur ta shkruajë Allahu, nuk mund ta ndalim.

Nuk kemi frikë, se i kemi marrë. Po zbatojmë higjienën personale që ka dhënë OBSH-së. Do eliminojmë grumbullimet. Nuk ia japim dorën njeriu, do rrimë një metër larg.

Kemi punën tonë, shohim interesat tona, nuk lëvizim lartë e poshtë, kështu që ne jemi në rregull. I kemi marrë masat e duhura, kemi marrë mjekimet e nevojshme i kemi çuar tek shtëpia", shprehen disa nga banorët e Kukësit.

Ndërkohë në farmacitë e qytetit nuk ka maska mbrojtëse, ndonëse edhe interesimi i qytetarëve nuk është i madh.