Kuksianët s'tremben nga ligji, vijojnë të hedhin kapsollë! Qytetarët: Kemi frikë për fëmijët

16 Dhjetor 2019, 17:40

KUKËS- Me ardhjen e festave të fundvitit krahas zbukurimeve dhe ndriçimit të qyteteve me drita shumëngjyrëshe  nis dhe përdorimi i lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Pavarësisht që ndalohet me ligj tregtimi dhe përdorimi i këtyre lëndëve duket se kuksianët nuk i ndahen traditës së hedhjes së kapsollave gjatë gjithë muajit dhjetor. Hedhja e tyre në sheshe dhe rrugë ka sjellë dhe reagimin e qytetarëve të cilët ndihen të shqetësuar për rrezikun dhe zhurmat që sjell përdorimi i lëndëve piroteknike.

Qytetarët e Kukësit kërkojnë të ndalohet tregtimi i kapsollave dhe fishekzjarrëve pasi ato mund të blihen shumë lehtë dhe nga fëmijët çka do të rrezikonte edhe jetën e tyre.

“Janë shumë të rrezikshëm për fëmijët, janë ca si granata, duhen marrë disa masa. Na shqetësojnë zhurmat. Mos përdoren, policia duhet të marrë masa”, thonë banorët

Ndërkohë gjatë kohëve të fundit policia ka vënë nën hetim 4 persona në kuadër të masave shtrënguese për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Nuk kanë qenë të pakta rastet ku qytetarë kanë pësuar lëndime nga lëndët piroteknike.