Kulluri: 1 në 6 demokratë nuk e mbështetin Bashën! Të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD për një program elektoral të zgjedhje 2021

18 Janar 2020, 14:25 | Përditesimi i fundit: 2020-01-18 15:43:14

TIRANË - Një në gjashtë demokratë e mbështesin Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike. Shifrën e bëri të ditur ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri i ftuar në Report Tv, duke ju referuar sondazheve që janë kryer. 

Për Kullurin, është urgjencë mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së për reformimin e partisë dhe mbi të gjitha, për të pasur një program elektoral për zgjedhjet e ardhshme.

Partia duhet të hyjë në kuvend kombëtar për tu reformuar, për ta nxjerrë partinë nga kriza, për të pasur një program elektoral për zgjedhjet e ardhshme, dhe dalja në një qasje krejtësisht të re. Humbja e 2017-ës ja pamundëson fitoren Lulzim Bashës në 2021-shin, është humbje e rëndë, dhe sjellje e papërgjegjshme pas asaj humbje, sa rrënimi i Bashës është i parikuperueshëm. Vetëm 1 në 6 demokratë e mbështet Bashën, e kemi me sondazhe", tha Kulluri.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së tha se protestat e opozitës gjatë 2019-ës sollën dëme për vetë partinë, pasi janë arrestuar me qindra persona, është shkaktuar tension social dhe ka pasur kosto në ekonomi, në turizëm. Ndërsa fitorja politike nga protestat, ishte zero, sipas Kullurit, pasi nuk prodhuan asgjë.

Marrëveshja politike e arritur për reformën zgjedhore, sipas Kullurit është produkt i krizës së vjetshme, dhe dakordësia sipas tij ka ardhur në fund të 2018-ës, pasi  ka pasur një komision të përbashkët parlamentar.

"Mazhoranca është në axhendën e saj normale, është një komision rutinë që do të reflektojë rekomandimet e OSBE/ODIHR", tha ai.

Për Kullurin, është e pafalshme që PD është në aleancë me LSI-në, kur e gjithë fushata e 2017-ës ishte fokusuar si një goditje për LSI-në.

"Basha bëri fushatë kundër LSI-së, që sot e ka ulur në prehër, dhe është e pafalshme sepse nuk kanë bërë asnjë mea culpa. Basha nuk ka dhënë arsye pse gjithë fushata e 2017 u shkarkuar ndaj LSI dhe jo Ramës. Dhe tani ulen në tryezë dhe nuk japin arsye pse janë në prezencën e Gjiknurit që është atakuar në mënyrë të vazhdueshme nga opozita si një ndër pikat për të mos u ulur në tryezë", u shpreh Edvin Kulluri.

Largimi nga Kuvendi sipas tij "ka dëmtuar rëndë aleatët që nuk luftojnë dot për këshilla bashkiak".

"Kemi një sistem drejtësie që me mos prezencën e PD për kandidaturat në KLP, KED, etj, ija ka lënë të gjitha në dorë qeverisë. Këtë autoritarizëm Ramës ja ka dhënë në tavolinë lideri i opozitës Lulzim Basha", tha Kulluri.

Edvin Kulluri thotë se nuk ka rëndësi nëse marrëveshjen politike për zgjedhoren e kanë ndërmjetësuar apo jo ndërkombëtarët, pasi në politikë rëndësi ka rezultati. Por sipas tij, kjo do të ishte dështimi i dytë i opozitës, pas uljes me Damian Gjiknurin në tryezë pas sulmit të vazhdueshëm ndaj tij, "sepse ishte kjo opozitë që nuk i dëgjoi për mandatet dhe bojkotin".