Kupa e Shqipërisë/ Pagat, dëmtimet dhe situata në klub, ja si vjen Flamurtari para sfidës me Tiranën

22 Janar 2019, 17:13

Tirana dhe Flamurtari e mbyllën 2018 duke sfiduar njëra tjetër në Superligë, një sfidë e cila përfundoi me fitoren e bardhebluve. Ndeshja e parë e 2019 I gjen këto skuadra sërish përballë njëra-tjetrës, veçse këtë herë për Kupën e Shqipërisë. Të mërkurën në “Selman Stërmasi” luhet akti I parë për turin e dytë dhe zëvendës trajneri i Tiranës, Erjon Xhafa, shprehet:

“Kupa ka një specifikë tjetër nga kampionati. Në Superligë 90 minutat vendosin rezultatin, ndërsa nesër me Flamurtarin duhet t’I bëjmë llogaritë edhe me ndeshjen e dytë. Kjo do të thotë se nuk mund të kalojmë në aventurë që në ndeshjen e parë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi kualifikimi vendoset në ndeshjen e kthimit.”

Ndërkohë Artim Pollozhani, mbrojtësi i Flamurtarit, shprehet se klubi vlonjat I ka të qarta idetë për 90 minutëshin në kryeqytet.

“Ekipi është i përgatitur, të gjithë futbollistët kanë marrë ngarkesën e duhur që ka përcaktuar stafi teknik. Nesër do futemi me 100% tonë për synimin e një rezultati pozitiv që ta kemi më të thjeshtë ndeshjen e kthimit.”

Më tej futbollisti jep një përgjigjje edhe për zërat se te vlonjatët ka vonesa pagash se dhe ky fakt ka ndikuar jo për mirë tek ata.

“Fjalë ka gjithandej, por situata në ekip, grupi, është i konsoliduar. Nesër do marim rezultat pozitiv pasi ajo që flitet nuk na intereson shumë.”

Për ndeshjen e parë të Kupës me Tiranën, Flamurtarit do t’i mungojnë mbrojtësit Alla dhe Veliu si dhe sulmuesi brazilian Alves.