Kupa e Shqipërisë/ Tirana në finale me spektakël, Kukësi mposht edhe në betejën e dytë Skënderbeun

8 Maj 2019, 21:32

Gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë kanë dhuruar spektakël dhe kanë prodhuar një lumë golash. Në kryeqytet Tirana e udhëhequr nga Ardian Mema ka prerë një biletë për në finale falë fitores 5-3 kundër Luftëtarit, në një kohë kur sfida e parë ishte mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0. Edhe pse bardheblutë kaluan të parët në avantazh me supergolin e Asion Dajës pjesa e parë në “Selman Stërmasi” u mbyll me shifrat 1-1, ndërsa në të dytën Tirana shkoi në 4-1 para se Oshafi të shkurtonte përkohësisht.

Pas minuta më pas Sentamu realizoi të dytin personal dhe të pestin për Tiranën, ndërsa shifrat përfundimtare do të vuloseshin në minutën e 94 nga Dunga. Një fitore mjaft domëthënëse për Tiranën e cila jo vetëm siguron finalen, por edhe jep sinjale pozitive para derbit.

Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër mes Skënderbeut dhe Kukësit korçarët jo vetëm që nuk kanë mundur të përmbysin humbjen e ndeshjes së parë, por janë mposhtur sërish, këtë herë 1-3. Në Korçë rezultatin e zhbllokoi Rexhinaldo në minutën e 19-t, ndërsa para se të mbyllej pjesa e parë një autogol i Abazit dyfishoi shifrat.

Me fillimin e fraksionit të dytë goli i Bregut rizgjoi shpresën për përmbysje, por zgjati vetëm pak pasi Valdet Rama realizoi të tretin për Kukësin. Në fund verilindorët prekin finalen me rezultatin e përgjithshëm 2-5 dhe janë vetëm një hap larg fitimit të trofeut.

Ndeshja finale mes Tiranës dhe Kukësit do të luhet më 2 qershor, por ende nuk dihet ora e saktë dhe stadiumi se ku do të zhvillohet sfida.