Kupa e Shqipërisë/ Tirana në gjysmëfinale mes drithërimash, Partizani eliminohet nga Luftëtari

3 Prill 2019, 18:11

Tirana ka arritur të sigurojë mes drithërimash gjymsëfinalet e Kupës së Shqipërisë pavarësisht se është mposhtur 2-0 në ndeshjen e kthimit në çerekfinale nga Laçi. Bardheblutë dhe kurbinasit zhvilluan një 90 minutësh ku më shumë se sa spektakli mbizotëroi loja e ashpër. Gjithsesi skuadra vendase edhe pse shënoi fillimisht me Shtubinën dhe më pas me Çokajn, nuk u kualifikua për shkak të humbjes 3-0 në ndeshjen e parë.

Për t’u evidentuar në këtë takim ishin edhe rastet flagrante që humbi Tirana.

Ndërkohë skuadra tjetër e kryeqytetit, Partizani, i ka dhënë fund aventurës në Kupë në fazën çerekfinale pasi është mundur edhe në ndeshjen e kthimit nga Luftëtari. Në Gjirokastër vendasit kanë triumfuar me rezultatin 1-0, duke e eliminuar Partizanin me shifrat e përgjithshme 3-1.

Të kuqtë që shpresonin të kthenin gjithçka në favor pas humbjes 1-2 në ndeshjen e parë tani u mbetet vetëm të shpresojnë te kampionati, aty ku udhëheqin me +9 pikë nga Kukësi ndjekës. Ndërkohë kualifikimi këtë sezon në gjysmëfinale për Luftëtarin vjen pas 37 vitesh.