Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia-Skënderbeu në finale! Shkodranët eliminojnë Laçin, korçarët shtangin Teutën

15 Prill 2021, 10:02 | Përditesimi i fundit: 2021-04-15 10:04:53

Vllaznia-Skënderbeu do jetë finalja e Kupës së Shqipërisë. Skuadra shkodrane ka mposhtur sot me rezultatin minimal 1-0 Laçin në Loro Boriçi. Golin vendimtar të sfidës e realizoi Ardit Hoxhaj, i cili goditi saktë me kokë pas një harkimi nga këndi i Da Silvës.

Në vijim të dy skuadrat patën rastet e tyre, por topi në asnjë krahë nuk e kaloi vijën fatale. Një fitore me kualifikim për Vllazninë, e cila i shkon shumë afër një trofeu, në një kohë kur javët e fundit është kritikuar shumë për rezultatet jo të mira.Në finale Vllaznia do të përballet me Skënderbeun, që ka bërë suprizën duke mposhtur 0-2 në Durrës Teutën, që ishte favorite absolute në letër. ‘Djemtë e detit’, të cilët udhëheqin Superligën, u shtangën që në minutën e 2 kur Meksi realizoi me penallti.

Në vijim u prit reagimi i skuadrës së drejtuar nga Edi Martini, por Skënderbeu i ringjallur që Lufton për të mos rënë nga kategoria realizoi golin e dytë me Berishën pak nga fundi i pjesës së parë. Në këto çaste ndodhi edhe një gabim trashanik, por edhe qesharak, pasi Berisha hoqi bluzën për të festuar me shokët dhe mori kartonin e dytë të verdhë. Pavarësisht kësaj Teuta nuk arriti të shkurtonte as diferencën.

Finalja mes Vllaznisë dhe Skënderbeut do të zhvillohet me 30 maj, ndërsa ende nuk është caktuar stadiumi se ku do të luhet.