Kur do të jetë gati stadiumi i Kukësit, investim 5 milionë euro për 8 mijë vende

20 Gusht 2019, 22:52

KUKES - Punimet në stadiumin "Zeqir Ymeri" të qytetit të Kukësit, vijojnë me ritme të larta. Fusha por edhe i gjithë impianti janë shndërruar në një kantier ndërtimi, ku çdo ditë makineritë e rënda kryejnë volume të mëdha pune siç është zgjerimi i fushës aktuale, hapja e kanalizimeve  dhe heqja e drenazhimeve aktuale.

Punimet janë inspektuar edhe nga Arben Dervishaj, Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai shprehet se brenda vitit stadium do të jetë gati.

"Ecuria është e kënaqshme. Ka pasur disa probleme për shkak të kolektorëve të ujërave të zeza që kalojnë nëpër stadiumë dhe ka nevojë të devijohen. Do bëhet edhe pjesa e shkallëve dhe veshja e tyre me beton.  Besoj se Brenda vitit stadiumi do të jetë gati pa shkelur parametrat dhe cilësinë", tha ai.

Stadiumi është një investim prej afro 5 milionë eurosh dhe do ketë një kapacitet prej 8 mijë shikuesish dhe në të do të luhen përveç kompeticioneve kombëtare dhe ndeshjet e Kupave të Evropës.