Kur e pamundura u bë e mundur, sot 15 vite nga finalja e ‘çmendur’ e Champions League në Stamboll

25 Maj 2020, 12:59

Stambolli është një qytet që kurrë nuk do të largohet nga memoria e tifozëve të Milanit, disa prej të cilëve edhe pse kanë kaluar 15 vite nuk e harrojnë kurrë 25 majin e 2005. Ajo finale e Champions League e luajtur kundër Liverpool në stadiumin Ataturk me shumë gjasë është më e bukura e këtij kompeticioni.

Gola me shumicë, shtangie dhe demoralizime, por kurrë mosbesim, sidmos për Liverpool-in, që fitoi trofeun edhe pse në pjesën e parë Milani udhëhiqte me shifrat 3-0. Në pjesën e dytë ‘The Reds’ e drejtuar nga Rafa Benitez barazuan 3-3, ndërsa me penallti fituan atë trofe të çmendur dhe të pamundur pas 45 minutash lojë.

Sot nga ai moment bëhet fiks një dekadë e gjysmë, por përveç tifozëve të këtyre dy skuadrave ka edhe shumë futbolldashës që ky moment i duket shumë i afërt. Për vetë faktin se emocione të tilla vështirë se do të përsëriten ndonjëherë.

Një ndeshje e tillë futbolli merr më shumë përmasa në ditë të vështira si këto kur e pothuajse e gjithë Europa ka ndalur kampionatet për shkak të koronavirusit edhe pse po bën përpjekje për të vazhduar.