Kurbin, familja 6 anëtarëshe prej 3 javësh në çadër! 70-vjeçarja kujton të martën e 26 Nëntorit: I thashë o plak çohu se tërmeti

17 Dhjetor 2019, 19:46

KURBIN- Ndrec Piroli nga fshati Zhejë i Kurbinit është 80 vjeç ai dhe familja e tij prej 6 anëtarësh jetojnë në një çadër pasi tërmeti i bëri të pabanueshëm shtëpinë.

Prej 3 javësh familja Piroli janë strehuar në një çadër. Bashkëshortja e Ndrecit, 70 vjeçe tregon dhe momentin kur ra tërmeti. Mes dramës që la pas tërmeti të moshuarit nuk ngurojnë ta kalojnë këtë situatë dhe mes batutash. Familja Piroli kërkon një zgjidhje pasi dimri është i ftohtë dhe nuk mund të jetohet më në çadër.

Kaluam një tronditje të madhe, tani t'u e kaluar si në çadër, faleminderit krejt kosovarëve që na kanë ndihmuar”, thotë e moshuara

“Nga tërmeti s'u tremba se s’më la gruaja me u tremb, më tha ra tërmet, i thash në tokë të vetë është t'u ra”, thotë Ndrec Piroli

“I thash o plak çohu se tërmeti, se kështu i them o plak”, tregon 70 vjeçarja

Në të njëjtën situatë është dhe familja e Xhovalin Pirolit, e cila jeton ngjitur me familjen e Ndrecit. E zonja e shtëpisë thotë se nuk ka shkuar askush që t’i shohë dhe që s’i kanë dhënë asnjë ushqim. Ajo shprehet se po jetojmë çdo ditë mes ankthit dhe nuk dinë as shkallën e dëmtimit të banesës.

“Jemi ankuar te komisionet, na kanë thënë ju kemi shkruar emrin, s’di gjë as na kanë thënë më, tani s’di gjë. Me na pa s’na kanë thanë gjë a të rrimë brenda. Me dit për siguri, të dimë a jetohet brenda në shpi, a ka siguri”, thotë një nga banorët.

Tërmeti i 26 nëntorit la pas 51 viktima dhe qindra banesa të dëmtuara. Banorët e fshatit Zhejë duan të dinë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre.