Kursi i këmbimit në ndërrim te viteve/ Dhjetori u mbyll pa luhatje të euros, dollari në rënie! Ndikon mosardhja e emigrantëve

4 Janar 2021, 16:52

Muaji dhjetor i vitit që kemi lënë pas u mbyll pa luhatje të ndjeshme në kursin e këmbimit. Më 31 dhjetor 2020 një euro u këmbye me 123.8 lekë nga 121.7 lekë që u këmbye në të njëjtën datë të vitit 2019. Monedha evropiane që pas muajit mars të vitit të shkuar kur u shfaq virusi në vend, ka qëndruar e stabilizuar por lartë nivelit të vitit 2019, si pasojë e dërgesave të ulta valutore nga jashtë.

Monedha e përbashkët në datat 23 dhe 24 dhjetor zbriti në nivelin e 122 lekëve, por sipas ekspertëve lidhej me efektin sezonal si pasojë e dërgesave të emigrantëve për festat e fundvitit, por nga ana tjetër dërgesat përsëri nuk ishin në të njëjtin nivel me ato të 2019-ës.

Nga ana tjetër për festat e këtij viti kërkesa ishte më e lartë për monedhën kombëtare lekë, pasi qytetarët e kishin të vështirë të udhëtonin jashtë vendit për pushime si pasojë e masave bllokuese të ndërmarra nga shumë shtete të huaja, për të mos lejuar përhapjen e pandemisë. Por edhe masat e marra nga qeveria jonë për kufizimin e orarit dhe mbylljen e bareve dhe restoranteve në orën 20:30 solli ulje të shpenzimeve.

Ndërsa sa i takon dollarit ka pasur një zhvlerësim të ndjeshëm në raport me monedhën vendase, dhe në ditën e fundit të vitit 2020, 1 dollar amerikan është këmbyer me 100.8 lekë nga 108 lekë që u shit në 2019. Sipas ekspertëve kjo luhatje e dollarit lidhet më shumë me tregjet ndërkombëtare dhe stabilitetin e tyre.

Sipas Bankës së Shqipërisë në muajin dhjetor këmbimi mesatar i euros ishte 124 lekë nga 122 në 2019 dhe i dollarit amerikan nga 110 lekë në 102 lekë në dhjetor 2020.