Kursimet nuk të bëjnë me shtëpi, e pamundur ta blesh pa kredi! Inxhinieri Lefter Sila: Apartamentet janë shtrenjtuar me 40% pas 2015

27 Shkurt 2021, 19:36

Të blesh një apartament në Tiranë, për një familje me të ardhura deri në mesatare po bëhet e pamundur, për shkak të çmimeve tepër të larta. Ndërtimet e reja po sjellin çmime gjithnjë e më të shtrenjta, duke bërë që qytetarët ti drejtohen bankave për të marrë kredi, në mënyrë që të blejnë një banesë. Inxhinieri dhe agjenti imobiliar Lefter Sila thotë se çmimet nga viti 2015 e deri tani janë rritur deri në 40%, ndërkohë liston edhe shkaqet e kësaj situate.

“Në radhë të parë pronarët e kanë rritur mjaft përqindjen e këmbimit që marrin në kontratë me ndërtuesin. Kjo përqindje shkon nga 30% në zonat e larta e deri në 50% në qendër. Që do të thotë se ndërtuesit i mbetet për tu shitur më pak se në rast se do e kishte të gjithë pallatin. Së treti cilësia e ndërtimit është rritur gjithashtu kështu që është rritur edhe kostoja e ndërtimit. Po ashtu, ndërtuesit kanë pritur 6-7-8 vjet derisa të merrnin lejet e ndërtimit dhe gjatë kësaj kohe kanë harxhuar vlera të mëdha monetare për të mirëmbajtur makineritë, punëtorët”, thotë Sila.