Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti e ka cilësuar si padrejtësi faktin që Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk iu hapën negociatat nga BE-ja.
Gjatë aktivitetit ku mbrëmjen e sotme ishte i ftuar në Tiranë nga Qendra e Vetëvendosjes në Shqipëri, ai tha se së shpejti do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
"Padrejtësi që Shqipëria dhe Maqedonia nuk filluan negociatat. Sigurisht që do ta takoj së shpejti kryeministrin e Shqipërisë, por jo sonte" tha ai.
I pyetur mbi krijimin e qeverisë së re, Kurti u shpreh se "Jemi duke biseduar ende me LDK, koalicioni ynë është i pashmangshëm.
Me informacionin që kam Vetëvendosja nga rinumërimi ka shtuar vota. Këto janë më shumë simbolike, pasi substanca është aty, verdikti i popullit që më 6 tetor tha se regjimi i vjetër mbaroi" përfundoi ai.